Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe nënkryetar i Komisionit Evropian, Zhozep Borel, sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë zyrtare në vend, ku edhe siç është paralajmëruar, do ta kryesojë delegacionin e BE-së në Këshillin e 16-të për Stabilizim dhe Asocim ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut.
Borel, sipas agjendës, sot do të takohet me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ndërsa të premten më 17 mars do të kryesojë me Këshillin për Stabilizim dhe Asocim mes BE-së dhe vendit tonë, ku Maqedoninë e Veriut do ta përfaqësojë kryeministri Kovaçevski, ndërsa Komisionin Evropian do ta përfaqësojë komisari Varheji.
Pas Këshillit, në orën 11:30 do të vijojë konferencë e përbashkët për media.
Gjatë kohës së vizitës, Boreli, siç është paralajmëruar, do të realizojë disa takime dypalëshe, në mesin e të cilëve edhe me presidentin Stevo Pendarovski, ministren e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska dhe me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, zëvendëskryetarët, koordinatorët e partive politike dhe kryesuesit e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane dhe të Komisionit për Çështje Evropiane pranë Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Boreli më parë, e vizitoi Shqipërinë ku kishte takime me kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe kryesoi me Këshillin e 12-të për Stabilizim dhe Asocim ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë.
Këto vizita, siç është paralajmëruar, do të jenë mundësi që të bisedohet për marrëdhëniet dypalëshe mes BE-së dhe Shqipërisë dhe BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, në përputhje me marrëveshjet e tyre për stabilizim dhe asocim dhe të shqyrtohen ngjarjet më të reja në të dyja vendet dhe në Ballkanin Perëndimor. Kjo është hera e parë që këshillat të mbahen në Tiranë dhe Shkup.
Boreli, pas Shkupit më 18 mars do të shkojë në Ohër, ku kryeministri Kovaçevski do të jetë nikoqir i takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq si pjesë e dialogut Prishtinë - Beograd.