Modena, 14 shkurt 2023 (MIA) – Skuadra italiane Ferrari e prezantoi sot bolidin e tyre të ri “SF-23” me të cilën do të tentojë në sezonin e ri të Formula 1 t'i bëhet konkurent Red Bullit.
Prezantimi i bolidit të ri u organizua në bazën e skuadrës italiane në Maranello me një koncert dhe në prani të një numri të madh fansash të Ferrarit.
Për Ferrarin në sezonin e ardhshëm do të ngasin Sharll Lekler nga Monako dhe Karlos Sainc nga Spanja, ndërsa kreu i ri i skuadrës është Frederik Vaser.
“Ndjej se të gjithë janë krenarë për atë që kanë bërë dhe kjo është shumë e rëndësishme për motivimin e të gjithëve. Sezoni do të jetë i gjatë, por motivimi është aty dhe është vendimtar për performancën”, tha Vaser.
Paraqitja e radhës publike e bolidit të ri të Ferrarit do të jetë në testet parasezonale nga 23 deri më 25 shkurt në Bahrein.
Sezoni i ri i Formula 1 fillon më 5 mars për Çmimin e Madh të Bahreinit.
Ferrari për herë të fundit e fitoi titullin në garën e konstruktorëve në vitin 2008, ndërsa një vit më parë festoi titullin e fundit në garën individuale kur triumfoi finlandezi Kimi Raikonen.